Informata të përgjithshme

Byroja e Zhvillimit të Arsimit është organ administrativ në përbërje të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, me cilësi të personit juridik, dhe kryen punë profesionale me rëndësi për zhvillimin dhe përmirësimin e edukimit dhe arsimit

Hapi i parë për themelimin e një instituti për përparimin e arsimit dhe edukimit u ndërmor në verën e vitit 1955.

Historiku

Më saktë, më 11 gusht 1955, me Vendim të Këshillit Ekzekutiv të RP Maqedonisë, nr. 214 (me qëllim të fillimit të përgatitjeve për reformën e arsimit shkollor në territorin e RF të Jugosllavisë), u themelua Instituti për Përparimin dhe Studimin e Arsimit Shkollor, për ushtrimin e shërbimit arsimor-pedagogjik në RP Maqedoni. Që nga kjo datë, Instituti fillon të ekzistojë si institucion buxhetor nën drejtimin dhe mbikëqyrjen e Këshillit për Arsim të RP Maqedonisë.

Vendimi i përmendur nuk u zbatua menjëherë, por pas përgatitjeve të domosdoshme Instituti filloi punën më 1 janar 1956. Kompetenca e tij kryesore ishte përgatitja e materialeve për reformën e arsimit shkollor. Këshilli për Arsim i RP Maqedonisë vlerësoi se nuk ishte e mundur të realizoheshin reforma në arsim pa një përgatitje solide të mësuesve dhe pa aftësimin e tyre të vazhdueshëm për kryerjen e një detyre kaq komplekse dhe me rëndësi të madhe shoqërore.

Punonjësit profesionalë të Institutit kishin kompetencë të merrnin pjesë në procesin mësimor, të kujdeseshin për përmbajtjen mësimore, për vlerësimin e saj dhe për bartjen e njohurive teorike në praktikën mësimore. Që në fillim të kësaj veprimtarie, Instituti jepte mendime dhe propozime për hartimin e planeve dhe programeve mësimore dhe ushtronte kujdes të vazhdueshëm për zbatimin e tyre në shkolla. Për realizimin e këtyre qëllimeve të ndërlikuara u krijuan ekipe profesionale, të cilat zbatonin ndryshimet në shkolla, propozonin masa për përgatitjen profesionale të kuadrit mësimor, si dhe studionin e jepnin propozime për rinovimin e objekteve shkollore ekzistuese dhe për ndërtimin e objekteve të reja shkollore.

Veprimtaria

Veprimtaria e Byrosë së Zhvillimit të Arsimit përfshin komponentë me të cilët përcaktohen qëllimi dhe përmbajtja e punës edukativo-arsimore në fushën e arsimit parashkollor, fillor, të mesëm- gjimnaz, të mesëm profesional dhe pas të mesëm, arsimit të fëmijëve me nevoja të veçanta arsimore, arsimit të të rriturve, konvikteve të nxënësve, si dhe arsimit të fëmijëve dhe qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut jashtë vendit për mësimin e gjuhës amtare dhe të kulturës.

Misioni

Byroja e Zhvillimit të Arsimit krijon ndryshime cilësore në mësimdhënie dhe mësimnxënie. Ne mbështesim kuadrin arsimor përmes trajnimeve dhe këshillimeve dhe zhvillojmë programe mësimore bashkëkohore. Kontributi jonë siguron arsim më të mirë parashkollor, fillor dhe arsim të mesëm – gjimnaz, duke përfshirë edhe nxënësit me nevoja të veçanta dhe të rriturit, si dhe kujdesin për gjuhën amtare dhe kulturën e qytetarëve tanë jashtë vendit.

Vizioni

Arsim cilësor për të gjithë. Ne punojmë për të krijuar një sistem arsimor që i përgatit me sukses brezat e rinj për të qenë anëtarë aktivë, të informuar dhe kompetentë të shoqërisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Organizimi

Byroja për Zhvillimin e Arsimit është organ i administratës në përbërje të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës me cilësinë e personit juridik dhe kryen punë profesionale me rëndësi për zhvillimin dhe avancimin e edukimit dhe arsimit në Republikën e Maqedonisë.