Arsimi profesional zhvillohet në shkolla të mesme, të cilat organizohen si shkolla publike dhe private, në të cilat nuk lejohet diskriminimi në bazë të gjinisë, racës, ngjyrës së lëkurës, përkatësisë kombëtare dhe prejardhjes shoqërore, bindjeve politike dhe fetare, gjendjes pasurore dhe shoqërore.
Programet mësimore – viti I
Veprimtaria edukativo-arsimore zhvillohet në gjuhën maqedonase dhe me alfabetin cirilik. Për pjesëtarët e kombësive, veprimtaria edukativo-arsimore në shkollat publike zhvillohet në gjuhën dhe me alfabetin e kombësive, në mënyrën dhe sipas kushteve të përcaktuara me ligj. Në këtë kuadër, nxënësit e kombësive e mësojnë detyrimisht edhe gjuhën maqedonase. Në shkollat e mesme publike mësimi mund të zhvillohet edhe në njërën nga gjuhët botërore. Në shkollat private mësimi mund të zhvillohet edhe në gjuhë të huaj.
Në arsimin profesional regjistrohen nxënës të rregullt dhe me korrespondencë, të cilët kanë përfunduar arsimin fillor. Arsimi profesional mund të zgjasë tre ose katër vjet, si dhe mund të jetë arsim specialistik. Në arsimin profesional për aftësim, me kohëzgjatje deri në dy vjet, përfshihen edhe persona pa arsim fillor të përfunduar, por krahas aftësimit profesional ata e përfundojnë edhe programin e përcaktuar të arsimit fillor.
Pas përfundimit të arsimit profesional katërvjeçar, nxënësit, duke filluar nga viti shkollor 2006/2007, japin maturën shtetërore ose provimin përfundimtar. Pas përfundimit të arsimit profesional trevjeçar, nxënësit japin provimin përfundimtar. Nxënësit që japin maturën shtetërore fitojnë të drejtën për të vazhduar arsimin në studimet përkatëse.
Shkollën e mesme profesionale mund ta themelojë komuna. Vendimin për themelimin e një shkolle të mesme komunale e merr këshilli i komunës, pas marrjes paraprake të mendimit nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë. Shkollat e mesme profesionale shtetërore i themelon Qeveria. Shkollë private mund të themelojë person juridik ose fizik vendas apo i huaj, në bazë të Ligjit për Arsimin e Mesëm. Rrjetin e shkollave të mesme publike e përcakton Qeveria e Republikës së Maqedonisë, me propozim të komunave dhe të Qytetit të Shkupit.
Në 27 shkolla të mesme të Republikës së Maqedonisë zhvillohet arsimi gjimnazial dhe profesional, ndërsa në 38 shkolla të mesme zhvillohet vetëm arsimi profesional. Pra, arsimi profesional zhvillohet në gjithsej 65 shkolla. Kjo mund të shihet në Tabelën 1 dhe Tabelën 2. Dallimi ndërmjet këtyre dy tabelave qëndron në grupimin e drejtimeve dhe profileve në një numër më të vogël, krahasuar me konkursin për regjistrimin e nxënësve për vitin shkollor 2004/2005 dhe vitin shkollor 2005/2006.
Ky grupim i një numri më të vogël profilesh, përkatësisht drejtimesh, shkon në drejtim të krijimit të një baze më të gjerë arsimore, e cila do të mundësojë fleksibilitet dhe përshtatshmëri më të madhe kualifikuese. Në rast të ndryshimeve teknologjike, ekonomike dhe strukturore, fuqia punëtore do të përshtatet më lehtë me nevojat e tregut të punës, me trajnime plotësuese dhe rikualifikime të vogla.
Sipas propozimit të ri të Byrosë së Zhvillimit të Arsimit, në Dokumentin programor për përcaktimin e drejtimeve dhe profileve arsimore, ato përgjithësohen në 14 drejtime dhe vetëm 42 profile arsimore.
Në arsimin e mesëm artistik regjistrohen nxënës të rregullt, të cilët kanë përfunduar arsimin fillor, në drejtimet e artit figurativ, muzikor dhe baletor. Në arsimin e mesëm artistik mund të regjistrohen edhe nxënës të talentuar me arsim fillor të papërfunduar, me pëlqimin paraprak të Ministrisë, me detyrimin që paralelisht të përfundojnë arsimin fillor. Nxënësit që e kanë përfunduar vitin e fundit në arsimin artistik, duke filluar nga viti shkollor 2006/2007, japin maturën shkollore sipas programeve të përcaktuara.
Shkolla shtetërore për kulturë fizike “Metodija – Mitevski Brico”, duke filluar nga viti shkollor 2005/2006, regjistron nxënës sipas planeve dhe programeve mësimore për gjimnaz sportiv. Mësimi zhvillohet në gjuhën maqedonase dhe në gjuhën shqipe.
Në arsimin e mesëm për nxënësit me nevoja të veçanta arsimore, nxënësit arsimohen sipas programeve të përshtatura për profesione, përkatësisht profile arsimore përkatëse. Në varësi të ndjekjes së programeve të përshtatura për profesionet, përkatësisht profilet arsimore përkatëse, nxënësit me nevoja të veçanta arsimore mund të japin maturën shtetërore ose provimin përfundimtar.
Me planet dhe programet mësimore për veprimtarinë edukativo-arsimore rregullohen qëllimet, fushat mësimore, temat dhe përmbajtjet, standardet arsimore dhe profili i mësuesit që e realizon mësimin. Programet hartohen sipas modelit të programeve, të cilin e miraton ministri me propozim të Byrosë së Zhvillimit të Arsimit. Në model përcaktohet edhe fleksibiliteti në realizimin e fushave mësimore dhe temave.
Duke filluar nga viti shkollor 2005/2006, në arsimin e mesëm profesional katërvjeçar zbatohen plane dhe programe mësimore të unifikuara për vitin e parë, për të gjitha profilet arsimore në të gjitha drejtimet. Planet dhe programet mësimore për vitet e tjera të arsimit profesional katërvjeçar janë në fazën e hartimit.
Në shkollat e arsimit të mesëm profesional, për realizimin e veprimtarisë edukativo-arsimore përdoren tekste shkollore. Pjesëtarët e komuniteteve që mësimin e ndjekin në një gjuhë të ndryshme nga gjuha maqedonase përdorin tekste shkollore në gjuhën e komunitetit përkatës. Teksti shkollor hartohet në përputhje me planin dhe programin për lëndën përkatëse dhe me konceptin për tekstin shkollor, të cilin, me propozim të Byrosë së Zhvillimit të Arsimit, e miraton ministri.