Byroja e Zhvillimit të Arsimit dhe Agjencia për Film e Republikës së Maqedonisë nënshkruan një Memorandum Bashkëpunimi, me të cilin vendoset një partneritet i orientuar drejt avancimit të procesit edukativo-arsimor përmes përdorimit të artit filmik dhe mediave audiovizuale.
Memorandumi u nënshkrua nga drejtoresha e Byrosë së Zhvillimit të Arsimit, Millka Trimçevska, dhe drejtori i Agjencisë për Film, Sashko Micevski.
Bashkëpunimi synon zhvillimin e shkrim-leximit filmik, mediatik dhe vizual te nxënësit, integrimin e filmit si mjet bashkëkohor mësimor dhe edukativ, nxitjen e të menduarit kreativ, kritik dhe analitik, si dhe avancimin e kompetencave profesionale të stafit arsimor dhe promovimin e kinematografisë maqedonase dhe evropiane.
Në kuadër të këtij partneriteti parashihet hartimi i materialeve mësimore dhe edukative, organizimi i projeksioneve filmike të shoqëruara me diskutime dhe analiza, zhvillimi i programeve edukative filmike për nxënësit, si dhe realizimi i trajnimeve, punëtorive dhe seminareve të destinuara për mësues dhe nxënës. Gjithashtu, bashkëpunimi përfshin mbështetjen e klubeve filmike shkollore dhe projekteve audiovizuale të nxënësve, si dhe inicimin e aktiviteteve të përbashkëta kombëtare dhe ndërkombëtare në fushën e arsimit dhe kulturës filmike.
Ky Memorandum përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të procesit arsimor, afrimit të artit filmik te të rinjtë dhe forcimit të rolit të filmit si një mjet bashkëkohor edukativ.