Më 5 maj, Byroja e Zhvillimit të Arsimit, në bashkëpunim me Shoqatën për marketing dhe reklamim GLOBAL NET ADV SHPKNJP – Shkup, filloi realizimin e programit me përparësi të akredituar të trajnimit me temë: “Teknika dhe mjete të avancuara për këshillim në karrierë për orientim individual dhe mbështetje të nxënësve.’’
Trajnimi është i përkushtuar për avancimin profesional të mësimdhënësve – këshilltarë të karrierës në shkollat e mesme, me qëllim përmirësimin e kompetencave të tyre për zbatimin e qasjeve dhe mjeteve bashkëkohore në procesin e orientimit në karrierë dhe mbështetjes së nxënësve në zhvillimin e tyre arsimor dhe profesional.
Programi i trajnimit realizohet gjatë tri ditëve me një kohëzgjatje të përgjithshme prej 18 orësh. Gjatë trajnimit, pjesëmarrësit njihen me teknika të avancuara për këshillim individual, si dhe me metoda praktike për identifikimin e interesave dhe potencialeve të nxënësve.
Sipas dinamikës së paraparë, trajnimi do të përfundojë plotësisht deri në fund të këtij muaji, me ç’rast do të përfshihen rreth 180 mësimdhënës – këshilltarë të karrierës nga shkollat e mesme e të gjithë vendit.










