Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Byroja e Zhvillimit të Arsimit u bëjnë thirrje të gjitha palëve të interesuara – mësimdhënësve, shërbimeve profesionale dhe subjekte të tjerë në fushën e arsimit – të përfshihen në diskutimin publik mbi propozimin e listës së re të lektyrave për arsimin fillor.
Ndryshimet dhe nevoja për përditësimin e listës së lektyrave rrjedhin nga synimi për të përshtatur vazhdimisht përmbajtjet mësimore me qëllimet bashkëkohore arsimore, karakteristikat zhvillimore të nxënësve dhe kontekstin e tyre social dhe emocional.
Qasja e re për përzgjedhjen e lektyrave bazohet në disa kritere: përputhshmëria me programin mësimor, përshtatshmëria me moshën, vlera letrare, rëndësia tematike dhe përfshirja (inkluziiviteti).
Propozimi i listës është hartuar mbi bazën e listës që u realizua në mësim gjatë vitit shkollor 2019/2020. Disa tituj janë hequr për shkak të lexueshmërisë së ulët, mos-përshtatshmërisë për moshën ose përmbajtjes së tyre. Për shkak të ndryshimeve në programet mësimore dhe lidhjes ndërdisiplinore në mësim, disa vepra janë zhvendosur në klasë tjetër ose kanë marrë status të ri – nga të detyrueshme janë bërë zgjedhore dhe anasjelltas.
Në propozim janë përfshirë vepra që trajtojnë tema bashkëkohore dhe të rëndësishme, duke përfshirë: identitetin dhe vetëbesimin, miqësitë dhe marrëdhëniet ndërpersonale, jetën shkollore dhe bullizmin, sfidat emocionale dhe psikologjike, përballimin e humbjeve, diversitetin kulturor, barazinë gjinore dhe përfshirjen e fëmijëve me aftësi të ndryshme.
Qëllimi është që nxënësit të lexojnë përmbajtje të afërta me realitetin e tyre, por edhe të mjaftueshme për analizë dhe interpretim simbolik, duke nxitur mendimin kritik, diskutimin dhe zhvillimin personal.
Lista mbetet e hapur për propozime për të gjitha klasat nga e dyta deri në të nëntën. Parashikohet gjithashtu mundësia e përfshirjes së një vepre nga literaturat kombëtare të të gjitha gjuhëve mësimore, ku çdo vepër do të përkthehet në të gjitha gjuhët zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Propozimet tuaja janë thelbësore për krijimin e një liste moderne, përfshirëse dhe cilësore të lektyrave, që do të përgjigjet në nevojat reale të nxënësve dhe procesit mësimor.
Formulari për propozim-librin duhet të dërgohet në adresën e mëposhtme: bro.macedonia@bro.gov.mk deri më 30 nëntor 2025.


