Ministria e Arsimit dhe е Shkencës si dhe Byroja e Zhvillimit të Arsimit informojnë se është përgatitur draft Koncepti për reformat në arsimin e mesëm dhe ftojnë të gjithë mësimdhënësit, nxënësit, prindërit, ekspertët dhe të interesuarit me mendimet, sugjerimet dhe vërejtjet e tyre të përfshihen në opinionin publik për miratimin e versionit më të mirë.
Koncepti për reformat në arsimin e mesëm është hartuar për të siguruar një sistem arsimor bashkëkohor, inkluziv (gjithëpërfshirës) dhe konkurrues. Dokumenti i propozuar ofron qasje bashkëkohore që synojnë përvetësimin e aftësive praktike, zhvillimin e të menduarit kritik, integrimin e teknologjive digjitale dhe përputhshmërinë me standardet ndërkombëtare arsimore, si dhe zgjedhje më të madhe për nxënësit, në mënyrë që ata të mund të modelojnë rrugën e tyre arsimore, sipas interesave, qëllimeve të tyre dhe synimet e ardhshme.
Mendimet dhe sugjerimet e të gjitha palëve të interesuara në procesin arsimor janë jashtëzakonisht të rëndësishme për krijimin e arsimit të mesëm që do t’i përgatisë nxënësit për sfidat bashkëkohore dhe do të sigurojë rezultate arsimore të krahasueshme ndërkombëtarisht.
Arsimi i mesëm – gjimnaz në Maqedoni nuk i është nënshtruar reformave thelbësore për më shumë se dy dekada, gjë që e ka sjellë atë në një gjendje të pamjaftueshme përputhshmërie me nevojat bashkëkohore dhe standardet ndërkombëtare. Hulumtimet tregojnë se si mësimdhënësit ashtu edhe nxënësit e njohin nevojën për ndryshime, veçanërisht në drejtim të modernizimit të programeve mësimore, mundësinë e zgjedhjes së lëndëve, aplikimin e metodave bashkëkohore të mësimnxënies dhe vlerësimit, si dhe përparimin e aftësive relevante për shekullin XXI.
Koncepti është i disponueshëm në faqen zyrtare të Byrosë së Zhvillimit të Arsimit. Komentet tuaja mund t’i dërgoni në javnarasprava@bro.gov.mk më së voni deri më 31 janar 2025. Jemi të bindur se së bashku mund të krijojmë arsim të mesëm bashkëkohorë dhe cilësor në dobi më të mirë të brezave të ardhshëm.
Ministria e Arsimit dhe e Shkencës
Byroja e Zhvillimit të Arsimit