PUNËTORI ‘’LODRAT PËR FËMIJË – ZGJEDHJE E MENÇUR DHE E SIGURT PËR SHËNDETIN DHE SIGURINË E FËMIJËVE“

Më 16 dhjetor 2025, në ambientet e IPKKF „Dimçe Mirçev“ – Veles, objekti 2 “Dielli“, në Veles, u mbajt një punëtori për drejtorë dhe edukatorë nga kopshtet e fëmijëve të Rajonit Planor të Vardarit, me temë: „Lodrat për fëmijë – zgjedhje e mençur dhe e sigurt për shëndetin dhe sigurinë e fëmijëve“. Punëtoria është pjesë e aktiviteteve të planifikuara të Byrosë së Zhvillimit të Arsimit, në kuadër të Programit për Mbrojtjen e Konsumatorëve për vitin 2025 („Gazeta Zyrtare e RMV-së“ nr. 24/25), miratuar nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe e përgatitur në përputhje me nenin 170 dhe nenin 171 të Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorëve („Gazeta Zyrtare e RMV-së“ nr. 236/22, 3/25 dhe 49/25).

Në punëtori morën pjesë gjithsej 30 përfaqësues nga tetë kopshte të fëmijëve nga Rajoni Planor i Vardarit, prej të cilëve 23 edukatorë dhe 7 drejtorë të kopshteve.
Pjesëmarrësit u njohën me të drejtat e konsumatorëve të garantuara me Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorëve, si dhe me parimet e sigurisë së përgjithshme të produkteve. Theks i veçantë iu kushtua fëmijëve, të cilët përbëjnë kategorinë më të cenueshme dhe janë më të ekspozuar ndaj rreziqeve gjatë përzgjedhjes dhe përdorimit të produkteve.
Duke pasur parasysh këtë, në punëtori u theksua roli i lodrave të fëmijëve në procesin edukativ, si dhe rëndësia e përzgjedhjes së drejtë të lodrave, të cilat nuk e rrezikojnë shëndetin dhe sigurinë e fëmijëve.

Si pjesë e punëtorisë, në kontekst të edukimit, informimit dhe të drejtave të konsumatorëve si një nga qëllimet globale për zhvillim të qëndrueshëm, pjesëmarrësit punuan në krijimin e lodrave edukative, të sigurta dhe të qëndrueshme, lojërave logjike, si dhe në përgatitjen e posterëve dhe fletëpalosjeve/urimeve, me qëllim informimin e prindërve/kujdestarëve dhe të opinionit më të gjerë për mënyrën e përzgjedhjes së drejtë dhe të sigurt të lodrave për fëmijë.